Blerim Kotobelli është parë shumë i acaruar pas ndeshjes së djeshme, duke i kërkuar llogari gjyqtarit Eldorian Hamiti për 11-metërshin e dhënë në minutën e 54-t. Mbrojtësi i majtë i Teutës u bë protagonist, kur pas kontaktit me Dvornekoviç, arbitri akordoi penallti. Kotobelli e cilësoi skandaloz gjykimin, duke sqaruar edhe episodin.
“Nuk e kam prekur fare kundërshtarin për t’i prishur ekuilibrin. Thjesht ai po priste të afrohesha për t’u rrëzuar dhe simuloi. Është një penallti e dhënë padrejtësisht, shumë skandaloze. Nuk e di ku kryesori e ka parë penalltinë, ndërkohë unë nuk e kam shtyrë kundërshtarin. U dëmtuam nga një gjykim skandaloz”, ka deklaruar mbrojtësi i durrsakëve.Për episodin reagoi edhe kapiteni Rustem Hoxha, i cili ishte pranë aksionit në momentin e penalltisë.
“Isha shumë pranë aksionit dhe e pashë që Kotobelli nuk e goditi kundërshtarin, por sapo e preku, ai u rrëzua për të marrë penallti.Vendimi ishte për faj të arbitrit dhe jo se Dvornekoviç u pengua. Kotobelli nuk e ka prekur fare në këmbë dhe as e ka shtyrë. Këtë penallti e ka parë vetëm kryesori dhe Dvornekoviç që simuloi”, është shprehur Hoxha, i cili dje kishte një detyrë të vështirë, teksa bashkë me Markoviç duhet të markonin sulmuesin e Kukësit, Pero Pejiç.