Në prag të rifillimit të kampionatit, Teuta po kalon një periudhë intensive përgatitore, me synimin për të qenë sa më e gatshme për dy fazat e fundit vendimtare të sezonit. Një nga lojtarët më me përvojë të skuadrës, Blerim Kotobelli, tregon më shumë për atmosferën në ekip, punën që po bëhet gjatë kësaj faze dhe pritshmëritë që ai dhe shokët e tij kanë për fundin e kampionatit.
Blerim, Teuta aktualisht po zhvillon fazën përgatitore. Si po shkon puna në skuadër?
Atmosfera është shumë pozitive. Po punojmë fort çdo ditë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Stafi teknik ka përgatitur një program shumë të detajuar dhe secili prej nesh po jep maksimumin për të qenë gati në rifillimin e kampionatit. Ka lodhje normale për këtë periudhë, por është lodhje e shëndetshme.
Çfarë po kërkon trajneri më së shumti nga skuadra në këtë periudhë?
Organizim dhe intensitet. Po punojmë shumë në fazën mbrojtëse, por edhe në mënyrën se si dalim shpejt përpara. Trajneri na kërkon të jemi të përqendruar deri në fund, sepse ndeshjet shpesh vendosen nga detajet. Gjithashtu po punohet shumë për unitetin brenda grupit dhe mendoj se kjo është arma jonë më e fortë.
Sa të rëndësishme i shikon dy fazat e fundit të kampionatit?
Janë vendimtare. Çdo pikë ka peshë të madhe dhe gabimet duhen minimizuar. Ne e dimë që do të përballemi me skuadra të forta, por nëse hyjmë në fushë me mentalitetin e duhur, mund t’i arrijmë objektivat tanë. Kemi besim te forca jonë si grup.
Cili është objektivi yt personal për këtë fund sezoni?
Të jem konstant dhe t’i ndihmoj sa më shumë ekipit. Dua të jap gjithçka në çdo ndeshje, qoftë në fazën mbrojtëse apo në ndërtim të lojës. Suksesi i Teutës është prioritet për mua.
Çfarë mesazhi ke për tifozët e Teutës?
U them vetëm një gjë: vazhdoni të na mbështesni si gjithmonë. Prania dhe zëri i tyre na japin energji shtesë. Ne do të luftojmë deri në fund për t’i bërë krenarë.





