Partizani do të jetë kundërshtari i radhës për Teutën, në takimin që do të përmbyllë fazën e tretë për këto dy skuadra. Durrsakët do të presin nesër në “Niko Dovana” skuadrën kryeqytetase, ndërsa nga ana e stafit teknik dhe lojtarëve është duke iu dhënë dora e fundit përgatitjeve për këtë 90-minutësh.

Pritet një interesim i lartë edhe nga ana e tifozëve të Teutës, për të mbështetur në maksimum të besuarit e trajnerit Magani, në një përballje vërtetë të rëndësishme. Për mbrojtësin Blerim Kotobelli, takimi ndaj Partizanit do të jetë i luftuar, pasi të dyja skuadrat kërkojnë maksimumin për vetë objektivat që kanë në këtë sezon.

“Mendoj se presioni është mbi ekipin kundërshtar. Ne vijmë në këtë 90-minutësh pas një fitoreje mjaft të vështirë, por të merituar ndaj Laçit, çka na ka karikuar edhe më shumë. Ndërkohë që Partizani vjen nga një barazim do ta konsideroja dramatik për të dhe mendoj se nuk është mirë në aspektin psikologjik. Megjithatë, jam i mendimit se ky takim do të jetë shumë i luftuar dhe nuk besoj se një gjë e tillë do të jetë përcaktuese në fatin e përballjes sonë ndaj Partizanit. Ajo që na intereson është marrja e tri pikëve. Jemi mposhtur në fazën e parë në shtëpi ndaj Partizanit, por e treguam forcën tonë ndaj të kuqve në takimin e fazës së dytë, ku ‘ia kthyem reston’ duke fituar në kryeqytet.

Nuk mendoj se do të jetë një përballje përcaktuese për objektivin e Teutës, sepse përpara ka shumë ndeshje dhe do të kërkojmë që të luajmë çdo sfidë me kujdesin maksimal. Ndaj Partizanit shpresoj shumë që të kemi dhe mbështetjen masive të tifozëve tanë, pasi do të jenë një forcë vërtetë e madhe për ne.

Teuta ka treguar në këtë sezon se di të përballet më së miri me çdo kundërshtar, madje duke marrë edhe rezultat pozitiv. Mendoj se edhe në Korçë, dy javë më parë ndaj Skënderbeut meritonim të mos dilnim pa pikë. Por pavarësisht asaj humbjeje minimale reaguam me vendosmëri dhe treguam karakter në Laç. Suksesi i fundit do të na shërbejë si motivim për të ecur në rrugën drejt fitores edhe ndaj Partizanit? Rivalët?

Tirana e Kukësi do të përballen së bashku të dielën, por nuk e mendojmë fare si një ndeshje ku duhet të fokusohemi dhe të presim lajme për rezultatin e këtij takimi. Teuta mendon për ndeshjet e saj dhe kërkon që të arrijë fillimisht suksesin e saj e më pas të mendojë se çfarë bëjnë rivalët”, përfundoi Blerim Kotobelli.

3 pikë ka arritur të marrë Teuta në dy ndeshjet e këtij sezoni ndaj Partizanit, atë në fitoren e sfidës së dytë të sezonit në “Qemal Stafa” me rezultatin 1-0 falë golit të Lukiç.