Ndeshja e radhës për Teutën është ditën e shtunë kundër Vllaznisë. Pas barazimit ndaj Skënderbeut, bregdetarët do të kërkojnë maksimumin ndaj Vllaznisë. Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, tha se kjo është ndeshja e duhur për të marrë maksimumin.

Si është atmosfera brenda grupit?

Është mirë kur përgatitemi me entuziazëm. Është një atmosferë shumë e mirë dhe jemi të gjithë së bashku. Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që ky bashkim i yni të na ndihmojë edhe në fushë. E kemi analizuar ndeshjen, nuk është koha për t’u ankuar për çfarë ndodhi në të kaluarën. Mendoj se mund të bëjmë diçka ndryshe, por mënyra e lojës është thuajse e njëjta. Duhet të kemi pak fat në finalizimin dhe shpresoj që të shtunën të krijojmë mundësitë të shënojmë. Duhet të bëjmë maksimumin në paraqitjen tonë që të fitojmë përballë Vllaznisë.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Kemi mbetur të kënaqur me seancat e fundit stërvitore. Pas Skënderbeut, tashmë është më e vështirë, pasi duhet të ruajmë ritmin. Vllaznia është shumë kompakte në mbrojtje dhe që lë pak hapësira. Ne duhet të ndërtojmë sa më shumë aksione, të tregojmë gatishmëri 100 për qind për të performuar. Kjo do të jetë një detyrë e madhe.

Një pikë me Vllazninë do të ishte e pranueshme?

Mendoj që kjo gjë është varësi të ndeshjes me çka ti jep në fushën e lojës, sepse mund të zhvillosh një ndeshje shumë të mirë dhe ke dominuar kundërshtarin. Kur merr një pikë që nuk është e merituar dhe duhet të merrje më shumë, por nëse ti nuk jep më të mirën dhe kundërshtari të dominon atëherë pika të kënaq. Gjithçka do të duket në ndeshje. Ne do të japim më të mirën tonë që të marrim maksimumin nga ndeshje ndaj Vllaznisë.

A po rritet besimi në ekip nga ndeshje në ndeshje?

Teuta edhe në ato ndeshje që nuk ka arritur fitore ka treguar lojë cilësore, por që ka munguar efikasiteti. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse kampionati është shumë i luftuar dhe duhet të futemi në çdo ndeshje me shumë seriozitet.

Çfarë ka Teuta më shumë se Vllaznia?

Kemi strategjinë tonë, duhet të kemi atë grintë, durim, mosdorëzim, sakrificë. Këtë duhet të bëjë ekipi. Nuk e di çfarë ka kundërshtari, pasi flas për ekipin tim.