Pas suksesit ndaj Laçit, të vlefshëm për javën e 27-të të Kategorisë Superiore, Teuta u është rikthyer përgatitjeve në terren për ndeshjen e parë gjysmëfianle të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut në Korçë. Në stërvitje bie në sy entuziazim i futbollistëve që pas fitores me kurbinasit kanë hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt mbijetesës.

Mbrojtësi i majtë Blerim Kotobelli thotë ishte një trepikësh me shumë vlerë, por në të njëjtën kohë kërkon nga skuadra të qëndrojnë me këmb në tokë: “Ishte një takim tepër i rëndësishëm për ecurinë në kampionat dhe ne e kishim përgatitur ndeshjen në çdo detaj me trajnerin. Punuam shumë me goditjet standarde, ashtu si gjithmonë por këtë herë na desh edhe fati dhe shënuam dy herë. Kjo fitore na jep qetësi për vijimësin, por nuk ka vend për vetkënaqësi pasi kampionati është endi i gjatë dhe ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës në mënyrë që të arrijmë objektivat që kemi vendosur me klubin”, tha 24-vjeçari.

Akti i parë i Kupës zhvillohet në Korçë, sfida e fundit ndërmjet tyre në kampionat ka përfunduar në barazim 1-1, megjithatë këtë herë Kotobelli parashikon një ndeshje tepër të fortë: “Përballë kemi një kundërshtar tepër të vështirë që ndonëse u mund në fundjavë, sërish mbetet ekipi më i fortë në Shqipëri. Ne vërtet kemi barazuar në sfidën e fundit me ta, por ndeshja nuk i ngjan ndeshjes dhe për më tepër Kupa ka një specifik të veçant. Ne do të japim maksimumin në mënyrë që të marrim një rezultat pozitiv. Ne do të futemi në fushë për të fituar, por në ndeshje të tilla e rëndësishme është që të mos pësosh në takimin e parë. Shpresoj ta mbajmë portën të paprekur”, deklaroi Kotobelli që po kalon një formë mjaft të mirë me “Djemtë e Detit” për të dytin sezon me radhë.