Blerim Kotobelli ishte ndër protagonistët në ndeshjen përballë Partizanit, ku veç paraqitjes së mirë arriti të bëjë liderin në fushë. Ai beson se Teuta nuk do të bëjë gabime dhe do të arrijë objektivin. Kotobelli e vlerëson maksimalisht Tiranën, por shprehet se Teuta do të kërkojë triumfin e radhës pavarësisht vështirësisë që ka kjo ndeshje.
Blerim, sa vlejti ai sukses kundër Partizanit?
Vlen tri pikë dhe një hap përpara. Ekipi bëri atë që duhej të fitonte ndeshjen, por ky sukses na jep besim për sfidat e radhës. Edhe pse me rezultat minimal ishte një tri pikësh me shumë vlera mjaftueshëm për të lënë sa më shpjet vendin ku jemi në tabelën e klasifikimit. U pa një Teutë me dëshirë për të fituar dhe që qarkullonte topin në të gjithë sektorët e fushës.
Keni hyrë në javën antiTirana, si po përgatitet ekipi?
Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Harmonia dhe çdo gjë është në rregull, tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen me Tiranën.
A është e motivuar skuadra për të ruajtur ecurinë pozitive?
Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet e mira sjellin një gjendje më të mirë psikologjie. Nuk na mbetet gjë tjetër, por duhet të vijojmë me këtë lojë të mirë dhe rezultat të mirë, duke filluar që nga ndeshja e së premtes përballë Tiranës.
Të premten udhëtoni në Tiranë, sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje?
Padyshim që Tirana kërkon përqendrim maksimal pasi është një skuadër shumë e mirë dhe ka cilësi brenda. Gjithsesi, kundër Tiranës ditën e premte do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë e të marrim një tjetër fitore.
Si mund ta ringrihet Teuta në renditje?
Nuk shikojmë shumë kalendarin e të tjerëve, po i yni është shumë i fortë. Tirana ka cilësi të shkëlqyera, pastaj ose përplasjet direkte, ose skuadrat që luftojnë për shpëtim. Cilësia do të bëjë ndryshimin e ne duhet të bëjmë më pak gabime.