Skuadra e Teutës është një nga më aktivet në merkato. Dje ka qenë radha për rinovimin e djalit të shtëpisë, Blerim Kotobellit.Ditën e djeshme mbrojtësi anësor ka rinovuar kontratën, që e mban të lidhur edhe për një tjetër sezon në këtë merkato. Menjëherë pas hedhjes së të zezës mbi të bardhë, mbrojtësi është shprehur i lumtur, që do të vijojë të jetë pjesë e Teutës.
Blerim, rinovoni edhe një sezon me Teutën, si ndiheni?
Jam i lumtur dhe krenar që mund të konfirmoj se do të jem sërish lojtar i Teutës në sezonin e ardhshëm. Është një zgjedhje zemre, jam shumë i lidhur me këto ngjyra dhe me këtë fanellë. Teuta është shtëpia ime. Të veshësh këtë fanellë është përgjegjësi dhe privilegj, jam gati të vazhdoj këtë aventurë të mrekullueshme.
Forma juaj sezonin që lamë pas ishte shumë e mirë dhe ishit pikë kyçe e Teutës. Çfarë prisni në vazhdim?
Futbolli dhe e mira s’kanë fund. Paraqitjet kanë ardhur gjithmonë në rritje, kështu që jam i kënaqur. Por ka akoma vend për t’u përmirësuar. Sezoni i ri është ende larg, por unë kam nisur stërvitjen individuale, pasi duhet shumë punë që të ruash formën.
Çfarë mendoni se mund të ndryshojë nën drejtimin e Longos?
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndryshojë. Kuptohet që pritshmëritë janë pozitive. Besoj se është ende herët për një përgjigje, pasi nuk kemi nisur ende stërvitjet.
Çfarë synimesh keni për këtë sezon?
Fundi i kampionatit të vjetshëm ishte i lodhshëm edhe për shkak të duelit për vendin e katërt. E donim, por nuk e arritëm. Këtë vit e dimë që do ta kemi më të vështirë, sepse duhet të bëjmë akoma më mirë se një sezon me parë.
Si e shihni Teutën në rinisjen e kampionatit. E shihni të arritshme Europën ose trofeun e Kupës?
Europa është synimi ynë dhe do të bëjmë të pamundurën për ta arritur. Por e rëndësishme është që të marrim ndeshjet me radhë dhe të shohim deri ku mund të shkojmë. Patjetër që dhe Kupa është në synimet tona, pasi të dërgon më shpejt në Europë dhe ka vlerë edhe trofeu. Shpresoj ta ngremë këtë trofe!