9 tetor 2015 – Teuta arriti një fitore bindëse në Durrës kundër Bylisit me rezultatin e 3-0, pas asaj humbjeje me skuadrën e Tiranës një javë më parë. Skuadra e trajnerit Magani tregoi grintë dhe karakter, madje e dominoi ndeshjen duke shënuar edhe tri gola falë kualiteteve që ka në përbërje.

Një formë të mirë sportive në këto javë të para te durrsakët ka treguar edhe mbrojtësi Blerim Kotobelli. Një lojtar me eksperiencë, që i shërben ekipit në të gjitha repartet. Lidhur me ecurinë e deritanishme të skuadrës durrsake, mbrojtësi ka pohuar:

“Teuta sigurisht që meriton të jetë mes ekipeve të elitës së futbollit shqiptar, sepse është një klub që prodhon talente, që funksionon si duhet dhe ka kushte. Mbi të gjitha, është një ekip që ka traditë. Por, duhet të pranojmë realitetin, pasi jemi në një kampionat me 10 skuadra dhe me shumë rivalitet e konkurrencë.

Sa i përket Teutës dhe fitores së fundit që kemi realizuar, ka ardhur si rrjedhojë e grintës dhe punës së mirë që është bërë. Kemi pësuar një humbje me Tiranën, që unë do ta quaj aksidentale, sepse skuadra krijoi volum loje dhe kishim mundësi për të shënuar. Ndeshjen e fundit kemi marrë pikët maksimale dhe unë jam i bindur se ne do të vazhdojmë me këtë ritëm, për të qenë të suksesshëm dhe për të synuar javë pas jave fitore dhe rezultate pozitive. Gara është e gjatë dhe ne do të rikuperojmë edhe pikët e lëna në takimet e shkuara. Teuta ka kualitete dhe shumë futbollistë që kanë eksperiencë në Superligë, ndaj edhe unë besoj se ne do t’ia dalim. Gjithmonë duke dhënë më të mirën në çdo takim dhe duke qëndruar me këmbë në tokë. Pa eufori dhe vetëkënaqësi, pasi kjo e dëmton ekipin dhe këtë gjë duhet ta eliminojmë në mënyrë që të ruajmë këto ritme. Madje, trajneri, në çdo ndeshje, apo edhe gjatë seancave stërvitore, na flet dhe na mban të motivuar, pasi është vetëm fillimi dhe në fund shikohet rezultati”, shprehet Blerim Kotobelli.

Ndërsa për golin, të cilin ai pret që ta gjejë sa më shpejt, tregon: “Të shënosh është kënaqësi, aq më tepër kur je mbrojtës. Në këtë ndeshje jam i kënaqur që i shërbeva ekipit, pavarësisht nëse shënova apo jo”, ka përfunduar mbrojtësi i Teutës.

/portali DurresLajm/