Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias e ka quajtur sot vendimin e qeverisë shqiptare, për të financuar plotësisht një operacion të kërkimit dhe rivarrosjes së ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, një hap shumë pozitiv.
Sipas kreut të diplomacisë greke, ky akt pason vendimin e kaluar të qeverisë shqiptare, e cila po rindërton gjithashtu me fondet e saj edhe kishën e vogël të Shën Athanasit, e cila u shkatërrua vitin e kaluar në Himarë.
I pyetur sesi e komenton vendimin e qeverisë shqiptare për varrezat greke, Kotzias ka deklaruar:
“Mendoj se ligji zbatues i miratuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, më 13 të këtij muaji, dhe që u bë i njohur dje, me anë të të cilit zgjidhen çështjet e varrezave të ushtarëve dhe oficerëve grekë që ranë në luften italo-greke, është një hap i madh për atë që themi në mënyrë metaforike ‘qetësimin e shpirtit të të rënëve’, por është gjithashtu një hap besimi mes dy vendeve tona”.
Sipas Kotzias, ky akt i madh, ashtu si dhe të tjera më të vogla, vërtetojnë se diplomacia mund të arrijë shumë më tepër se klithmat e protestës pa asnjë përmbajtje, se diplomacia është rruga për të zhvilluar marrëdhëniet pozitive me fqinjet dhe se qeveria greke, dhe ai personalisht, kanë zgjedhur pikërisht këtë rrugë, duke marrë përsipër barrën e pajtimit paqësor, të diplomacisë dhe të zhvillimit të një axhende pozitive me shtetet fqinje./t.ch