Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvillon në 27 maj një mbledhje ku do të përcaktohet nëse Alfred Balla mund të qëndrojë ose jo në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA që vendosi nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vite, bazuar në procesin e vetting.
Mbledhja e KLP është thirrur nga nënkryetari Tartar Bazaj, ndërsa ajo do të mbahet në orën 11:00 të së hënës, ku të pranishëm përveç anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pritet të jenë edhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare që monitorojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Alfred Balla drejton KLP nga momenti që mandati i gent Ibrahimit përfundoi, ndërsa më parë mbante funksionin e nënkryetarit të Këshillit. Ballës i ka përfunduar mandati i anëtarit të KLP-së prej disa muajsh, por vijon të qëndrojë në detyrë deri në momentin që do të zgjidhen anëtarët e rinj, nga rradhët e shoqërisë civile.
“Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve të Këshillit, në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT. Media si gjithmonë është e ftuar të jetë e pranishme.
Diskutimi i ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla”, thuhet në njoftimin e KLP.
KPA vendosi pak ditë më parë të nxjerrë nga sistemi i drejtësisë Alfred Ballën, ndonëse më parë përmes procedurave ai tentoi të mos kalonte vetting, duke pretenduar se nuk gëzonte statusin e magjistratit në momentin që kishte nisur procesi ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndihmësve ligjorë, funksion që Balla e ka kryer në Gjykatën e Lartë.
Kreu në detyrë i KLP-së ka reaguar ashpër ndaj vendimit të KPA, ndërsa paralajmëroi se do e çojë në Strasburg, pasi pretendon se largimi i tij nga sistemi i drejtësisë bie ndesh me Kushtetutën.
Lidhur me mbledhjen e KLP-së, në një reagim për mediat Alfred Balla shprehet se fakti që 9 anëtarë të Këshillit kanë qenë deri sot për vizitë pune jashtë shtetit, nuk ishte e domosdoshme dhe realizueshme mbledhja e Komisionit përkatës dhe e Këshillit në mënyrë urgjente.
“Nga ana tjetër në analizë të përmbajtjes së vendimit të KPA-së (shkurtim pasi ende nuk është zbardhur i plotë) të venë në dispozicion vlerësoj se:
Nuk ka analizuar e vërtetuar fakte që të bënin të diskutueshme zgjedhjen time si anëtar jomagjistrat i KLP-së, për të pasur vend për tu zbatuar neni 149/ b i Kushtetutës.
Gjithsesi, javës që vjen është planifikuar mbledhje e Komisionit dhe e Këshillit dhe ky problem do të analizohet e vlerësohet nga vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Dua të theksoj se, mua më ka mbaruar mandati kushtetues 5 vjeçar dhe po qëndroj në detyrë, për shkak të parashikimit kushtetues, deri në emërimin e personit që do më zëvendësoj.
Ky spjegim është i nevojshëm, për mos krijimin e situatave abuzive, referuar vendimit të KPA-së dhe efektit që ai ka mbi një organ tjetër kushtetues, pasi nuk është në interes të publikut”, thuhet në reagimin e Ballës.