Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të martën më 15 tetor vendimmarrjen e një dite më parë për lënin në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Shkodrës, Luveda Dardha.
Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPA-së e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të gjyqtares Dardha.
Komisioni vendosi me shumicë votash më 11 qershor 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Luveda Dardha për probleme në kriterin e pasurisë dhe në vlerësimin tërësor u konstatua se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.