Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të lënë në detyrë Prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevdari, njëhkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Vlerësimi i saj u bë në bazë të kriterit pasuror dhe profesional.
Në aspektin profesional, hetimi i KPK-së u konsiderua i plotë dhe u la në fuqi vendimi i saj për qëndrimin në detyrë të Sevdarit. Seanca e parë e mbajtur më 13 shkurt në Apel, u shty pasi Sevdari u akuzua për mbylljen e dosjes së një ish-krye komunari, i akuzuar për deklarim të rremë, fshehje të pasurisë, gjatë kohës kur ajo ishte prokurore në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.
Trupa gjykuese e KPA-së i njohu palët me një denoncim të ri të adresuar ndaj anëtares së KLP-së në seancën paraardhëse në datën 13 shkurt. Sipas saj, ankimimi nuk është bazuar në ligj. Ajo deklaroi se është konfirmuar në detyrë sipas përputhjeve të kushtetutës dhe shtoi se krijimi i pasurisë është bërë me punë të ndershme nga ana e familjes së bashkëshortit dhe këtij të fundit në emigracion.
Komisioneri Publik ankimoi gjithashtu të ardhurat e subjektit të bashkëshortit të Sevdarit, të fituara në Greqi dhe Arabi Saudite pasi subjekti nuk ka dhënë prova për ligjshmërinë e këtyre të ardhurave.
Sa i përket pasurisë të krijuar nga bashkëshorti në Arabinë Saudite, referencat e Komisionerit Publik u konsideruan të gabuara. Sevdari paraqiti prova ligjore për justifikimin e të ardhurave, ndërsa theksoi se natyra e të ardhurave të tilla, nuk parashtrohet në deklaratat e pasurisë.
Sevdari deklaroi se nuk e vërteton dot sa janë tatimet dhe nuk janë siguruar dokumentet për shkak se Arabia Saudite nuk është përgjigjur në shkresën e dërguar ndërkohë që punëdhënësi i bashkëshortit të saj ka ndërruar jetë.





