Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtares së Apelit në Shkodër, Lindita Hoxha.
Sipas njoftimit zyrtar vendimi për shkarkimin e Hoxhës është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
VENDIMI:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 57/2020, datë 07.12.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Lindita Hoxha kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 289, datë 06.08.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 289, datë 06.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Lindita Hoxha.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.