TIRANË, 12 prill 2013 – Ata “e kanë kuptuar që nuk i dëgjon kush” dhe se “reagimet diplomatike” janë “një qasje shterpë”, prandaj “Qeveria ka të drejtë të marrë kuotën e saj” në KQZ, janë nyjëtime gjithsesi të bujshme të dy ekspertëve mediatikë të mazhorancës (që internautët mund t’i lexojnë në sajtin e “Dyrrah”-ut).
Nëse tri të përditshmet më militante afër PD-së parapëlqyen heshtjen, duke mos pasqyruar deklaratën të diplomacisë amerikane në Tiranë si dhe reagimet e BE-së e OSBE-së për heqjen e përfaqësuesit të LSI-së në KQZ, zoti Sali Berisha ka hedhur në sulm dy komentuesit e tij politikë, nga më të mirët në tregun e Tiranës, për t’u kthyer reston.
Me një lehtësi të habitshme ish-kryetari i parë i PD-së Durrës, ish-ministër në Meksi 1, kandidat për President republike, kolumnisti Artan Hoxha thotë në “Panorama” se refreni i ndërkombëtarëve (SHBA, BE dhe OSBE) është se ata “nuk u besojnë më as vetë fjalëve të veta. E kanë kuptuar që nuk i dëgjon kush më. Veç duan t’i përdorin, secili për interes të vet”.
Kurse kolumnisti tjetër Henri Çili është edhe më i drejtpërdrejtë në editorialin e gazetës “Mapo” : “Një seri reagimesh diplomatike mbrëmë lidhur me debatin për raportet pozitë-opozitë në KQZ, në fakt tregon një qasje shterpë mbi të cilën kancelari të ndryshme diplomatike, madje edhe ndonjëherë nivele të caktuara të Komisionit Europian, i referohen situatës politike apo aq më pak dinamikës së saj të vrullshme në Shqipëri”.
Kurse kolumnisti afër opozitës Mustafa Nano paralajmëronte sot në “Shqip”: “Do ia dalë ai (Sali Berisha – “Dyrrah”) ta rimarrë ‘pushtetin’ në KQZ? Sipas meje, po. Ai do ta çojë deri në fund këtë betejë, si të gjitha herët e tjera, duke injoruar të gjitha reagimet e mundshme që mund të lindin”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





