TIRANE, 27 shkurt 2013– Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përsëritur sot thirrjen ndaj disa njësive të qeverisjes vendore për dorëzimin e ekstratit të përbërësve zgjedhore si dhe caktimin e Qendrave të Votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj tha se KQZ ka konstatuar se pas masave të marra që kanë të bëjnë me gjobitjen e drejtuesve të 139 njësive vendore, ka patur përmirësim të dukshëm të situatës dhe në ditën e sotme ky detyrim është plotësuar edhe nga 73 njësi vendore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton se pas masave të marra që kanë të bëjnë me gjobitjen e drejtuesve të 139 njësive vendore, ka patur përmirësim të dukshëm të situatës dhe ditën e sotme ky detyrim është plotësuar edhe nga 73 njësi vendore. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, konstaton me shqetësim se disa njësi vendore ende nuk kanë paraqitur pranë këtij Komisioni informacionin për qendrat e votimit”, u shpreh Hoxhaj.

Zëdhënësja e KQZ-së, theksoi gjithashtu se afati ligjor i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për dorëzimin e këtij informacioni nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore ka përfunduar.

KQZ ka paralajmëruar se do të vazhdojë të marrë masa administrative kundrejt këtyre drejtuesve të njësive vendore deri në plotësimin e detyrimit ligjor nga ana e tyre.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/