Nga Arben Rrozhani

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ia arriti që të ketë anëtarin e tij (zyrtarisht në emër të partisë aleate PR) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Njërin prej atyre që gatuan rezultatin e 8 majit në Tiranë. Dukej një fitore e madhe të hënën mbrëma, ndërsa votimi i 73 deputetëve bëri të mundur shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI dhe votimi i 74 të tjerëve e zëvendësoi atë me përfaqësuesin e PR-së. Deri parmbrëmë Berisha ishte fituesi. Kishte marrë edhe institucion tjetër, sipas parimit “nuk ka kala që s’e marrin komunistët”.

Por tani i duhet të mbyllet në atë kala që ka marrë, bashkë me të tijtë, sepse i ka të gjithë kundër. Bota është e gjitha kundër: Ambasadori amerikan nuk la deklaratë pa bërë para dhe pas votimit se votimi sipas idesë së qeverisë do të thoshte kundërvënie e hapur me SHBA-të. Edhe dje, ambasada amerikane në Tiranë deklaroi se qëndrimi i ambasadës së SHBA-ve është po ai që ishte para 24 orësh. Sot në Tiranë do të vijë edhe një i dërguar nga Uashingtoni, duke treguar se SHBA-të janë shumë të shqetësuara për zhvillimet paraelektorale në vend. Evropa është gjithashtu shumë e shqetësuar.

Baronesha Ashton deklaroi dje në Tiranë se: “Është përgjegjësia e të gjithë politikanëve që të sigurojnë pavarësinë e institucioneve dhe të bëjnë të mundur që institucionet të gëzojnë besimin e të gjithëve, ndaj duhet të ketë besim në këtë proces”, duke nënkuptuar se lëvizja e fundit e qeverisë në KQZ ishte aspak e mirëpritur dhe që minon besimin e publikut në institucionin që administron procesin zgjedhor në Shqipëri.

Ndërsa në Tiranë, ambasadorja gjermane, e njohur për qëndrimet kritike ndaj qeverisë “Berisha” tha ndërkombëtarët dhe apeli i tyre për të mos prekur KQZ-në ishin injoruar. Tashmë kryeministrit, hakmarrja për të nxjerrë LSI-në jashtë infrastrukturës vendimmarrëse të zgjedhjeve, i është kthyer në bumerang. Dorëheqja e parevokueshme e zwvendwskryetarit të KQZ-së, Denar Biba mbrëmë vonë, ia prish ëndrrën kryeministrit inatçor, sepse me shumë gjasa LSI do të ketë kandidatin e saj në KQZ, në vend të kandidatit që ishte propozuar nga PS-ja.

Atij i ka dështuar skenari, “me mua gjithçka, pa mua asgjë”, siç ishte fushata hakmarrëse e shkarkimeve masive në administratën publike të zyrtarëve të çdo niveli të LSI-së, pas krijimit të koalicionit opozitar PS-LSI dhe eliminimi i përfaqësimit të saj në KQZ dhe më pas në komisionet zgjedhore në bazë. Atij i ka dështuar skenari se me PS-në, LSI do të ishte vetëm humbëse, kur tashmë falë bashkimit të përfaqësuesve të majtë në këshillat bashkiakë, PD-ja ka dalë opozitë në pushtetin vendor, si parathënie e rotacionit të ardhshëm pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=21187&kat=92