TIRANE, 29 mars 2013– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi sot me unanimitet planin për përmbushjen e projektit për Sistemin Elektronik të Votimit (SEN), që do të përdoret për herë të parë në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 23 qershorit.
Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit miratuan disa ndryshime në aktin e propozuar nga administrata zgjedhore, duke i hapur kështu rrugën zbatimit të këtij projekti.
Procesi i numërimit në Fier, sipas plan programit të hartuar nga KQZ, parashikohet të zgjasë 24 orë. Kështu nga data 23-24 qershor do të zhvillohet numërimi elektronik dhe transmetimi i të dhënave në kohë reale në KQZ.
Ndërsa më datë 25 kompania spanjolle INDRA do të dorëzojë në KQZ në formë elektronike rezultatet dhe imazhet e fletëve të votimit të skanuara nga SEN. Testimi i parë i projektit të sistemit elektronik të numërimit do të realizohet nga KQZ dhe kompania e kontraktuar më datë 13 prill 2013.
Sipas plan-projektit, KQZ do të caktojë dhe një audit të pavarur për auditimin e sigurisë dhe funksionimin e sistemit.





