Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot, 23 korrik, tabelën përmbledhëse të rezultateve për qarkun e Tiranës, duke zyrtarizuar ndarjen përfundimtare të mandateve për Kuvendin e Shqipërisë.
Partia Socialiste ka siguruar 19 mandate, duke ruajtur pozicionin dominues në kryeqytet.
Ndërkohë, koalicioni opozitar Aleanca për Shqipërinë Madhështore (KASHM), që drejtohet nga Partia Demokratika, ka marrë 13 mandate.
Partitë e reja apo më të vogla, kanë arritur të sigurojnë nga një mandat secila:
Partia Mundësia
Nisma Shqipëria Bëhet
Lëvizja Bashkë
Partia Socialdemokrate (PSD)
“Nisma Shqipëria Bëhet” e ka siguruar karrigen në Kuvend, në të cilën do ulet Kleana Xhuveli, nga radhët e partisë së Adriatik Lapajt. Kleana Xhuveli e cila kandidonte në Vlorë, siç ka deklaruar vetë Lapaj, është kushërira e parë e tij.
Kështu, merr fund ngërçi në këtë koalicion “të shkatërruar tanimë”, pas përplasjes mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit. Kjo përplasje erdhi pasi daja i Shabanit, Zeqir Kordhoni, nuk pranoi të jepte dorëheqjen nga lista e mbyllur duke kërkuar që mandati t’i kalojë atij.
Ndërkohë, kryetari i PSD-së Tom Doshi ka vendosur të heqë dorë nga mandatet në listën e mbyllur, duke bërë kërkesë në KQZ për të shpërndarë të gjitha mandatet e fituara.
Kështu, me kërkesë të PSD-së (aprovuar nga KQZ), mandatin e tij në Tiranë, do ta marrë kandidati më i votuar i listës së hapur nga kjo forcë politike, Tedi Mula, nipi i Avni dhe Inva Mulës. Mula mori 2 mijë e 500 vota në zgjedhjet e 11 Majit.





