Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vlerësuar raportet e fundit mbi veprimtaritë publike dhe monitorimin e fushatës zgjedhore për periudhën 11-20 prill, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe duke marrë disa vendime të rëndësishme në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë që do të mbahen më 11 maj 2025.
Shkelje në fushatën zgjedhore
Gjatë kësaj periudhe, janë evidentuar 23 raporte shkeljesh nga monitoruesit, të cilat lidhen me dy problematika kryesore:
• Në 11 bashki, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin dhe Beratin, është konstatuar mungesa e shënimit ligjor “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…” në materialet propagandistike.
• Në 12 bashki, përfshirë Fierin, Krujën, Sukthin dhe Gjirokastrën, është raportuar hapja e zyrave zgjedhore në distanca më të afërta se 300 metra nga qendrat e votimit, në kundërshtim me udhëzimet e KQZ-së.
Komisioneri u ka lënë një afat 24-orësh subjekteve për të përmirësuar materialet propagandistike dhe për të larguar zyrat zgjedhore nga afërsia e qendrave të votimit, në të kundërt do të ndërhyjë Policia Bashkiake.
Shkelje edhe në media sociale dhe audiovizive
Struktura e posaçme për monitorimin e mediave sociale evidentoi tre postime në shkelje nga faqe zyrtare të institucioneve, për të cilat ka nisur procedura hetimore. Ndërkohë, në raportin javor të Autoritetit të Medias Audiovizive, u evidentuan shkelje nga OSHMA-të Syri TV dhe 6+1 TV, të cilave iu ndërpre transmetimi i reklamave politike jashtë orarit të lejuar. Euronews Albania u paralajmërua që në publikimin e sondazheve të pasqyrojë qartë porositësin dhe margjinën e gabimit.
Ndryshon vendndodhja e disa qendrave të votimit
Në përfundim të seancës, KQZ miratoi zhvendosjen e disa qendrave votimi në ambiente private në bashkitë Belsh, Sarandë, Vlorë, Peqin dhe Tiranë, për t’u siguruar që procesi i votimit më 11 maj të zhvillohet në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.