Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ, për kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari.

Dy ditë më parë më parë gjatë seancës kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha nuk ka një shkak ligjor që Hajdarit t’i ndërpritet mandati dhe se  vepra penale për kalim të paligjshëm të kufirit për të cilën ishte dënuar, nuk është një pengesë ligjore për të marrë një funksion publik.

“Detyrimi i subjekteve është të deklarojë shkaqet. Nëse mungojnë shkaqet nuk ka asnjë detyrim që të deklarojë. Subjekti vetëdeklarues ka paraqitur disa të dhëna në formular. Ai nuk ka paraqitur një të dhënë, ku vendimi është penal në territorin grek. Rëndësi ka fakti që kjo e dhënë nuk e përfshin në kushtet e ndalimit. Ngelet diskutimi që ai nuk e ka deklaruar, por ka pasur detyrimin që ta deklarojë. Por vlen të thekohet se nuk ka një shkak ligjor që Hajdarit t’i ndërpritet mandati.

Edhe në respektim të precedentit të krijuar nga ky institucion që prej vitit 2020, ne kemi mbajtur qëndrimin që s’ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formularin e vetëdeklarimit rrethana që nuk e ndalojnë që të marrin zyrën publike. Ky është një qëndrim i konsoliduar prej KQZ. Janë disa raste, si Zef Hila, të gjitha pyetjeve që lidhen me procedime, ndalime i është përgjigjur me jo, se nuk e ndalojnë që të kandidojë si deputet.

Në vlerësim tim qëndron bindja që një subjekt që ka detyrimin për shkak të angazhimit që të plotësojë një formular, s’ka detyrim të përfshijë të dhëna që nuk përbëjnë shkak për të kandiduar. Vlerësoj që s’ka shkak ligjor që kreu i bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati,” tha Celibashi.