TIRANË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shqyrtimin e Projekt-udhëzimit: “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionin të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”. 

Relacioni shoqërues i udhëzimit, që përfshin 12 nene, parashikon ndër të tjera që partitë politike që do të regjistrohen si subjekt zgjedhor depozitojnë në KQZ listën e kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. 

Udhëzimi përcakton që lista shumemërore e kandidatëve të partive politike që do të depozitohet në KQZ duhet të ketë renditje sipas rendit shifror, duke filluar nga numri 1 dhe duhet nënshkruar nga kryetari i partisë sipas modelit të miratuar nga KQZ. Në çdo rast të paktën 30 % e kandidatëve të listave shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë secilës gjini. 

Partia politike pjesëtare ose jo e një koalicioni, e cila paraqet listën shumemërore deklaron vendet, sipas kuotës gjinore. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë tjetër zgjedhore, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. 

Në pjesën e dytë të udhëzimit përcaktohet dokumentacioni për listat shumemërore të partive politike, të cilat zotërojnë të paktën një mandat në Kuvend. 

Po ashtu, sipas këtij udhëzimi KQZ bën verifikimin e dokumentacionit të kandidimit nga administrata zgjedhore. Në rast se kjo e fundit konstaton parregullsi në dokumentacion, jo më vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve KQZ vendos për ta kthyer atë për plotësim. Subjekti zgjedhor duhet të ridepozitojë dokumentacionin e korrigjuar jo më vonë se 42 ditë nga data e zgjedhjeve. 

Pas mbarimit të afatit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor, KQZ-ja publikon listën e plotë të kandidatëve në dy gazetat me tirazh më të madh në shkallë vendi, në mediat elektronike, si dhe në faqen zyrtare të saj në internet. Një kopje e listës për çdo zonë zgjedhore i dërgohet prefektit, Këshillit të Qarkut dhe KZAZ-ve.