Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu ka bërë apel partive politike që të dorëzojnë brenda ditës së sotme kandidaturat për komisionerë të nivelit të dytë.

Përmes zëdhënëses, Drilona Hoxha, KQZ shprehet se mosrespektimi i afateve ligjore cenon procesin zgjedhor si dhe tregon një mungesë të qartë papërgjegjshmërie nga partitë politike.

“Data 18 mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për KZAZ-të. Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ.

KQZ këkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor. Mos respektimi i afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor.

KQZ-ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për cënimin e administrimit të procesit zgjedhor. Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve”, tha Hoxha.