Tirane,19 Korrik 2013 – Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendos të thellohet hetimi për qarkun e Lezhës duke hapur të gjitha kutitë. Vendimi është marrë me 4 vota pro nga anëtarët e KQZ-së ndërsa ky vendim është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision.

Anëtari i KQZ, Zguri kërkoi të hapen kutitë e votimit për verifikim në të gjithë qarkun e Lezhës, pasi sipas tij duhet të bëhet transparencë e plote për ketë qark.

“Situata pas hapjes së kutive për Lezhën ishte dramatike, kishte një disbalancim të proceverbalëve me numrin e votuesve dhe kjo tregon se sistemi i numërimit të votave nuk ka funksionuar” theksoi Zguri.

PS: Po përsëritet procesi  2011-ës. Vendimi i paligjshmëm, do ta çojmë në Kolegj

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Gjoncaj e ka cilësuar këtë vendim një turp për të cilin vendimmarrësit do të mbajnë përgjegjësi penale. Ai akuzoi KQZ-në se po përdoret politikisht dhe po tenton të përsërisë situatën e krijuar në vitin 2011, në zgjedhjet lokale.

“Në 2011 kjo KQZ ndryshoi në tavolinë mandatin e bashkisë së Tiranës, mes këtyre procedurave, kjo procedurë përveç zgjatjes së shpalljes së rezultatit dhe përfundimit të procesit mes procedurave pranë kolegjit bëhet për të siguruar një rezultat të ndryshëm nga ai që është votuar në qark, kemi dyshime serioze se procesi përsërit atë të 2011 pra të deforimit të votës brenda kutive të mbyllura. Ne nuk kemi frikë nga procesi i rinumërimit, nuk administrojmë asnjë rast përveç atyre qendrave në 10 kuti që ne i denoncuam. Ajo që po ndodh, është që komisioni po fut duart në kutitë e votimit qe janë jashtë administrimit të partive politike” tha Gjonçaj duke shtuar se vendimi i KQZ-ë është i paligjshëm dhe Partia Socialiste do ta kundërshtojë atë në Kolegj.

Më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të pranojë ankimin e PS-së, e cila kërkoi që listat e Qarkut Lezhë, ti nënshtrohen verifikimit të sistemit TIM.

PS ka kërkuar që KQZ t’i drejtohet Ministrisë së Brendshme për ata që i konsideron si votues fiktivë në Lezhë, pasi sipas tyre rezulton se disa nga zgjedhësit nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e votimit, por rezultojnë pjesëmarrës në proces.

Ndërkaq, KQZ refuzoi kërkesën tjetër të PS, për verifikimin e firmave të votuesve në 6 qendra në qarkun e Lezhës.