Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi i ka dërguar letër partive ku i bën me dije se në zgjedhjet e 2025-s, votimi elektronik nuk mund të realizohet në pesë qarqe.
Celibashi sqaron se koha në dispozicion është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementeve teknike dhe njerëzore për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh.
Për pasojë KQZ propozon që aplikimi i votimit elektronik të bëhet vetëm në qarqet e Elbasanit dhe në atë të Durrësit.
Sa i përket Elbasanit, ishte një nga qarqet ku ky lloj votimi u aplikua edhe në zgjedhjet e 14 majit 2023 në shumicën e qendrave të votimit dhe votuesit e kanë si eksperiencë.
“Rekomandoj zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit, për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit. Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), mundëson një përgjigje më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik.
Nga ana tjeter ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë. Numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik.
KQZ vlerëson të domosdoshëm një mendim të partive politike në lidhje me këtë propozim.
Ndaj jeni të lutur ta përcillni atë pranë KQZ, jo më vonë se data 19 Tetor 2024″, thuhet në letër.