Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton ka dalë nga një spital në Kaliforni të dielën pasi kaloi pesë netë duke trajtuar një infeksion.
Clinton krah për krah me bashkëshorten dhe ish-kandidaten për Presidente, Hillary Clinton bëri me shenjë se gjithçka është mirë pasi doli ngadalë nga spitali dhe u përshëndet me stafin para kamerave.
“Temperatura dhe qelizat e bardha të gjakut janë të normalizuara dhe ai do të kthehet në New York për të përfunduar trajtimin me antibiotikë”, tha në një deklaratë doktori Aplesh Amin.
Lideri i ShBA-së në vitet 1993-2001 u shtrua të martën në mbrëmje në spital për shkak të një infeksioni që nuk lidhet me COVID-19, kishte bërë të ditur zëdhënësja Angel Urena në Twitter.





