Shqipëria turistike prezantohet gjatë zhvillimit të Euro 2016 në Francë si një mundësi fantastike për promovimin e turizmit të vendit tonë. 

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në bashkëpunim me FSHF-në mundësuan krijimin e këndit shqiptar të turizmit, ku shërbehet informacion turistik për të gjithë të huajt që vizitojnë Shtëpinë e Kombëtares në “Perros Guirec”. Në qendrën turistike të qytetit që mirëpret kuqezinjtë tanë, Agjencia Kombëtare e Turizmit ka ngritur një stendë të sajën ku banorëve vendas u ofrohet në gjuhën frënge gjithçka që duhet të dinë mbi mrekullitë që ofron Shqipëria nga pikëpamja turistike. 

“Alborent Rama”, i dërguari i AKT-së në “Perros Guirec” është shprehur se në paraqitjen e parë historike në një kompeticion madhor si Euro 2016, ishte një mundësi e mirë për t’iu paraqitur francezëve Shqipërinë, mrekullinë e panjohur turistike të Europës.

Trajnerit De Biasi iu dorëzua simbolikisht edhe Pasaporta Turistike Shqiptare, duke përcjellë në të njëjtën kohë vlerësimin dhe admirimin e tij për potencialin që Shqipëria ofron nga pikëpamja turistike. Gjithashtu si një nga promovuesit më të mëdhenj të vendit tonë, ai përfitoi nga rasti të ftonte këdo që të përjetonin eksperiencën e bukur të pushimeve shqiptare.

Këndin shqiptar të turizmit e vizitoi edhe Prefektja e Rajonit të Lannionit, Sophie Yannon-Gillet, e cila shfaqi interes të njihej me vendin tonë, duke pasur një fokus të veçantë në turizmin kulturor që ofron Shqipëria.