31 mars 2014 – Kredia për ekonominë ka vazhduar tatëpjetën edhe në muajin Shkurt. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë Shkurtit kredia ra me afro katër miliardë lekë krahasuar me Janarin, ndërsa me bazë vjetore rënia arriti në 2%.
Në kushtet e kërkesës së dobët dhe të ofertës së shtrënguar, kreditimi vazhdon të jetë në ngërç. Goditjen kryesore në rënien e muajit Shkurt e dha kredia për biznesin, ra me rreth 3.5 miliardë lekë. Në kushtet e kërkesës së dobët konsumatore dhe pesimizmit të përgjithshëm, sipërmarrja po qëndron në pozita pritëse. Shpresat për një përmirësim të lehtë janë të varura te shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Kreditimi i ekonomisë është pjesë e rëndësishme e programit të bashkëpunimit me FMN dhe bankën Botërore.
Shlyerja e detyrimeve, së bashku me një sërë masash që synojnë uljen e shkallës së kredive me probleme, synojnë të përmirësojnë gjendjen e bilanceve të sipërmarrjeve dhe të bankave, çka besohet se do të mund të kthejë gradualisht besimin te aktorët e tregut dhe të çbllokojë kreditimin. Viti 2014 nuk ka nisur mirë as për depozitat, që ranë në Shkurt për të tretin muaj radhazi. Krahasuar me Janarin, depozitat u tkurrën me 3.7 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore rritje është pozitive, ndonëse në përmasa modeste, me 1.4%.
Sistemi bankar ngelet sidoqoftë mjaft likuid dhe për momentin depozitat nuk janë një çështje shumë shqetësuese. Raporti mes kredive dhe depozitave në fund të Shkurtit ishte 57%, shkallë mjaft e ulët dhe që tregon se sektori bankar ka mjaft likuiditete të lira.





