Kredia për ekonominë u rrit për të dytin muaj radhazi në shtator. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për shtatorin kishte vlerën e 24.8 miliardë lekëve, në rritje me 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsej, për 9-mujorin e vitit 2023 sektori bankar ka dhënë gjithsej 216 miliardë lekë kredi për ekonominë, në rritje me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kreditimi i ekonomisë vazhdon rritjen, pavarësisht normave më të larta interesi dhe efektit të ndjeshëm statistikor negativ që ka dhënë forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor. Vlera e kredisë së re për ekonominë është në nivelet më të larta për të paktën tetë vitet e fundit, megjithëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar krahasuar me vitin e kaluar.

Kredia e re po rritet paralelisht, si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve. Për shattorn kredia e re për biznesin kishte vlerën e 16.9 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Për 9-mujorin kredia e re për bizneset arriti vlerën totale të 141.7 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 2.7%. Duke qenë se bizneset kanë një peshë më të lartë të kredisë në valutë, ky segment i portofolit është ndikuar më shumë nga efekti negative i kursit të këmbimit. Në mungesë të mbiçmimit të Lekut ndaj Euros, kredia për biznesin do të ishte rritur në përmasa më të mëdha.

Edhe kredia për individët vazhdon një rritje të qëdnrueshme gjatë këtij viti. Për shtatorin, kredia e re për individë arriti në 7.8 miliardë lekë, në rritje me 10.8% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Për 9-mujorin, disbursimet e reja kishin vlerën e 67.4 miliardë lekëve, 3.2% më shumë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme vazhdon të përbëjë shtyllën kryesore të rritjes së kreditimit të individëve. Oferta e lartë e bankave dhe rritja e moderuar e normave të interesit vazhdojnë të mbështesin investimet e reja në prona.

E matur si terpicë, vlera e portofolit të kredisë për ekonominë në fund të muajit shtator arriti në 725 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej afërsisht 400 milionë lekësh krahasuar me gushtin. Me bazë vjetore, kredia ngelet në rritje pozitive, me afërsisht 1% më shuimë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e portofolit po mbështetet kryesisht te segmenti i individëve, ku portofoli është në rritje me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Ky segment dominohet nga kredia afatgjatë për blerjen e pasurive të paluajtshme, ku amortizimi i portofolit është më i ngadaltë, si edhe nga fakti që kreditimi në valutë ka një peshë më të vogël dhe ndaj efekti negativ nga kursi i këmbimit është më i ulët.

Portofoli i kredisë për bizneset private ndërkohë ngelet në rënie, me 3.3% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, në këtë segment ka një peshë më të madhe të kredisë afatshkurtër, që ka amortizim më të shpejtë dhe të kredisë në valutë të huaj, që është ndikuar nga efekti statistikor i kursit të këmbimit./ MONITOR