DURRËS, 25 janar 2014 – Pas Tiranës, Durrësi është qarku më i besuar për bankat në kreditimin e biznesit dhe individëve, madje “Kostandinopoja II” (sikurse quhej Durrësi në lashtësi), për kureshtje, ka përfituar mbi 4,9 herë tepër se “Parisi i Vogël” (Korça)!
Sipas raportit më të fundit statistikor të publikuar (atë të muajit nëntor 2013) të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar totali i kredisë që kanë dhënë bankat e nivelit të dytë në 12 qarqet arrinte në 536 405.9 milionë lekë (shih faksimilen e tabelës). Siç mund të vërehet, shpërpjesëtimet janë të theksuara. “Dyrrah”-u ka llogaritur që Tirana, me 381 330.5 milionë lekë, ka marrë 71 për qind të totalit të kredisë në shkallë kombëtare, gjë që dëshmon për fuqinë ekonomike të kryeqytetit, ku është përqendruar dhe biznesi kryesor i vendit. Ndërkaq Durrësi ka marrë 42 441.6 milionë lekë ose 7,9 për qind të totalit. Kështu boshti Tiranë-Durrës ka gjithsej 78,9 për qind të totalit të kredisë. Vërtet, duket sikur qarku bregdetar ka marrë pak, por krahasuar me qarqet e tjera, me përjashtim të Tiranës (që ka marrë rreth 9 herë më shumë se fqinji i tij perëndimor), Durrësi ka marrë më shumë se Elbasan + Shkodër + Korçë, të cilat gjithsej arrijnë në 38 382.5 milionë lekë apo Vlorë + Fier + Lezhë me gjithsej 40 030.9 milionë lekë. Durrësi ka marrë mbi 2 herë e gjysmë se Elbasani apo Vlora, mbi tri herë se Fieri, rreth 3,3 herë më shumë se Shkodra, mbi 4,1 herë se Lezha dhe mbi 4,9 herë më shumë se Korça.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






