Rusia thotë se ka rrëzuar dy dronë mbrëmë, ndërsa akuzon Ukrainën për përpjekje për të vrarë presidentin rus Vladimir Putin.

Kremlini tha se dronët u çaktivizuan nga shërbimet speciale duke përdorur asetet elektronike të radarit.

Putin nuk ishte në Kremlin në atë kohë, tha zëdhënësi i tij Dmitry Peskov për agjencinë shtetërore të lajmeve, duke shtuar se nuk kishte dëme materiale në ndërtesa. Ndërsa sipas BBC, Ukraina nuk ka dhënë asnjë koment.

Pamjet në mediat sociale ruse treguan tym mbi qendrën e Moskës në orët e para të së mërkurës.

Në një deklaratë, Kremlini tha: “Mbrëmë, regjimi i Kievit u përpoq të kryente një goditje në rezidencën e Presidentit të Federatës Ruse me dron”.

Rusia tha se e konsideronte këtë “si një akt të planifikuar terrorist dhe një atentat ndaj presidentit” duke shtuar se Rusia “rezervon të drejtën për të marrë masa hakmarrëse kudo dhe kurdo që gjykohet e nevojshme”.

Putin nuk ishte lënduar dhe  axhenda e tij do të vazhdonte normalisht, thuhet në deklaratë.

Fragmente të dronëve kishin rënë në vendin e Kremlinit, por askush nuk ishte lënduar, bëri të ditur Kremlini.

Kremlini vuri në dukje gjithashtu se incidenti kishte ndodhur pak përpara paradës së Ditës së Fitores së Rusisë më 9 maj, në të cilën pritej të merrnin pjesë personalitete të huaja.

Zyra presidenciale e Ukrainës i tha BBC-së se nuk po komentonte në këtë moment.