Rusia ka reaguar ashpër pas deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili u shpreh se Evropa ka të drejtë të disponojë asetet e ngrira ruse brenda territorit të BE-së.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i cilësoi deklaratat e Macron si të papranueshme dhe paralajmëroi se vetëm Moska ka të drejtë të vendosë për fatin e fondeve të saj.
Në një postim në Telegram, Zakharova u shpreh se “vetëm Rusia ka të drejtë të vendosë se çfarë do të ndodhë me asetet e saj”, duke shtuar se çdo shtet apo institucion që “mban në mënyrë të paligjshme” paratë e Federatës Ruse “duhet t’i kthejë ato, nëse nuk do të etiketohen si hajdutë dhe të marrin përgjigjen më të ashpër për krimin e tyre.”
Deklarata e saj erdhi pas komenteve të Macron, i cili tha se Evropa ka legjitimitetin të vendosë mbi përdorimin e aseteve ruse që janë ngrirë si pjesë e paketave të sanksioneve kundër Moskës.
Edhe Kremlini reagoi zyrtarisht. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, paralajmëroi se Rusia nuk do t’i lërë pa përgjigje çdo përpjekje të mundshme të BE-së për të sekuestruar ose përdorur asetet ruse.
Debati mbi të ardhmen e qindra miliardë eurove pasuri të ngrira të Rusisë është kthyer në një pikë të nxehtë të marrëdhënieve ndërmjet Moskës dhe Perëndimit, teksa diskutimet për përdorimin e tyre në ndihmë të Ukrainës po intensifikohen brenda BE-së.





