Pas miratimit të paketës së 18-të të sanksioneve nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë, e cila përfshin masa të reja ndaj industrisë së naftës ruse, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia ka arritur të zhvillojë një shkallë imuniteti ndaj sanksioneve perëndimore dhe është përshtatur me to.
Në një konferencë për shtyp, Peskov i cilësoi masat e reja të BE-së si “të njëanshme dhe të paligjshme”, duke i konsideruar pjesë të një qëndrimi sistematik anti-rus të Evropës.
“Por në të njëjtën kohë, sigurisht, ne tashmë kemi fituar njëfarë imuniteti ndaj sanksioneve, jemi përshtatur me jetën me sanksione,” tha ai.
Peskov theksoi se Rusia do të analizojë paketën e re për të minimizuar ndikimin e saj, por paralajmëroi se “çdo paketë e re sanksionesh sjell një ndikim negativ për vendet që e mbështesin atë. Është një shpatë me dy tehe.”





