Turqia bën mirë të mos ketë iluzione se një ditë do të lejohet që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, tha Kremlini më 11 korrik, teksa Moska shprehu dëshirën për forcimin e raporteve me Ankaranë pavarësisht mosmarrëveshjeve, përfshirë edhe atë për zgjerimin e NATO-s.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu përgjigj pyetjeve lidhur me vendimin e Turqisë për të mbështetur pranimin e Suedisë në NATO, një ditë para se aleanca të niste samitin dyditor në Vilnius.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka synuar që të mbajë raporte të mira edhe me Moskën, edhe me Kievin, gjatë luftës në Ukrainë. Ai ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe ka ftuar presidentin rus, Vladimir Putin, që në gusht ta vizitojë Turqinë.

Turqia ka bllokuar pranimin e Suedisë, duke e akuzuar shtetin nordik se nuk ka bërë mjaftueshëm për të shtypur personat që Ankaraja i konsideron terroristë. Të hënën, megjithatë, Erdogan hoqi dorë nga kundërshtimet e tij, duke i mundësuar Suedisë që të bëhet anëtarja e 32-të e NATO-s.

Rusia e sheh zgjerimin e NATO-s si kërcënim për sigurinë e saj, por Peskov minimizoi sugjerimet se Turqia po largohej nga Rusia dhe po i afrohej Perëndimit.

“Turqia mund ta orientojë veten drejt Perëndimit. Ne e dimë që në historinë e Republikës së Turqisë ka pasur periudha të orientimit intensiv drejt Perëndimit, dhe ka pasur periudha më pak intensive”, tha ai gjatë një konference për media.

“Por, ne po ashtu e dimë se askush nuk dëshiron ta shohë Turqinë në Evropë, e kam fjalën për evropianët. Partnerët tanë turq nuk duhet të krijojnë iluzione”, tha ai.

Ai aludoi në rezistencën e kamotshme të BE-së për ta pranuar Turqinë, e cila për herë të parë ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian më 1987.

Erdogan tha të hënën se BE-ja duhet të hapë rrugën për rinisjen e bisedimeve për anëtarësimin e shtetit të tij në bllok në këmbim të heqjes së bllokadës turke për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Peskov tha se Rusia e kupton se Turqia ka përmbushur obligimet e saj si anëtare e NATO-s sa i përket çështjes së Suedisë, por shtoi se Moska dëshiron të vazhdojë të ndërtojë raporte më të mira dypalëshe me Ankaranë, pavarësisht “të gjitha mosmarrëveshjeve”.

Kremlini po kërkon që të ndërtojë një qendër të re në Turqi për eksportimin e gazit rus, pasi Moska ka ndryshuar rrugët e transportimit të gazit, për shkak se pas nisjes së pushtimit, Evropa reduktoi ndjeshëm varësinë e saj ndaj energjisë ruse./REL