Besimtarët katolikë iu drejtuan të shtunën në mbrëmje kishave në të gjithë Shqipërinë për të bekuar shportën me ushqimet e festës së Pashkës, ndërsa në Durrës kjo festë i mblodhi besimtarët katolikë në kishën e Shën Domenikut.
Mesha e Shenjtë u mbajt nga at Bernard Caruana, Vikar i pёrgjithshёm nё Kishёn dioqezane Tiranё-Durrёs.
Mesha u ndoq nga dhjetëra besimtarë katolikë të të gjitha grupmoshave, madje edhe nga shtetas të huaj që jetojnë në qytetin tonë ose po kalojnë periudhën e Pashkës në Durrës.
Simbolika e Pashkës
Pashkët shënojnë ngjarjen më të rëndësishme të krishterimit, ringjallja, e cila përcjell për të gjithë botën mbarë, simbolikën e ngadhënjimit mbi të keqen. Kujtimi i ringjalljes së Krishtit është një mënyrë për të ripërtëritur shpresë e përditshme të fitores mbi mëkatin.
Pashkët, të cilat festohen të dielën pas hënës së plotë të ekuinoksit pranveror, kanë ndikim të veçantë te besimtaret e krishterë jo vetëm shpirtëror, por dhe fizik, teksa shënojnë dhe finalizimin e agjërimit të kreshmeve.
Simboli i Pashkëve është veza, si simbol i jetës, e cila e lyer me ngjyrën e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit. Jeta e re, e cila nis me ditën e Pashkëve për çdo familje krishtere, lë pas mëritë, nxit faljen, dashurinë dhe ndihmën ndaj të afërmve në vështirësi, të sëmurëve dhe të varfërve, duke i kujtuar njeriut rolin e vet sipas urdhëresave të Zotit.





