Më datën 8 shtator 2018, në molin "0' të portit të Durrësit, u festua 10-vjetori i anijes "Iliria".
Në këtë ceremoni festive morën pjesë Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral major Ylber Dogjani, kuadro të Shtabit të Forcës e Flotiljes Detare, ekuipazhi i anije dhe familjarë të tyre.
Fillimisht Komandanti i anijes, Kapiten i Rangut të III-të Taulant Bako, foli për rrugën që ka ndjekur anija "Iliria", që nga futja e saj në përbërje të Forcës Detare më 5 shtator 2008.
Kapiteni solli në vemendjen e të pranishmëve lundrimet, stërvitjet dhe operacionet e kryera nga anija "Iliria" gjatë këtyre viteve, që ja kanë rritur vlerat dhe krenarinë Forcës Detare.
Më pas Komandanti i Forcës Detare, Zoti Ylber Dogjani, falënderoi ekuipazhin e anijes në emër të ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të FA për punën e rezultatet e deritanishme të kësaj anije flamurtare të FD, ndërsa dha certifikata mirënjohjeje për komandantin e anijes dhe disa kuadro të saj.
Në fund pjesëmarrësit e këtij aktiviteti zhvilluan një lundrim me anijen “Ilira”, nga Durrësi në Shëngjin e kthim, në shenjë respekti për lundrimet e kryera nga kjo anije në vite.
Anija “Iliria”, P-131, për herë të parë u lëshua në ujë më datë 26 maj 2008 në orën 17:00, në Kantierin e Kompanisë “Damen Shipyards” në Gorinchem, Hollandë.
Pas mbarimit të provave dhe testimeve me sukses në kantier, ndërmjet datave 17 qershor – 5 korrik, nga datat 7 – 9 korrik me prezencën edhe të Komandantit të Forcës Detare (Brigadë Detare në atë kohë) Kapiten i Rangut I-rë Kristaq Gerveni, u zhvilluan provat dhe testimet në det, të cilat gjithashtu rezultuan të suksesshme.
Në vijim në data 28 korrik – 9 gusht, në ambientet e Kantierit “Damen Shipyards” me pjesëtarë të efektivit të anijes “ILIRIA” (6 persona) u zhvillua një trajnim mbi njohjen e anijes, sistemeve përbërëse dhe manovrimit të saj.
Më datë 8 gusht 2008 në ambijentet e Kantierit “Damen Shipyards” u zhvillua ceremonia e pagëzimit të anijes “ILIRIA”, P-131 dhe përfundimit të ndërtimit të anijes.
Më datë 14 gusht 2008, anija “ILIRIA” filloi lundrimin e saj 12 ditor nga Gorinchemi për në Durrës. Në bord të anijes ndodheshin 6 persona ekuipazh i Damen Shipyards dhe 6 persona, efektivë të anijes ILIRIA nga Forca Detare.
Pas lundrimit 12 ditor, më datë 26 gusht 2008 anija ILIRIA, nën drejtimin e komandantit të saj të parë, Lapitenlejtnant Blerim Hoxha dhe ekuipazhit shqiptaro-hollandes, mbërriti në portin e Durrësit, ku edhe u prit nga efektivët e Forcës Detare.
Më datë 5 shtator 2008 u zhvillua ceremonia e hyrjes në formacionin e Forcës Detare të anijes si dhe ngritja e flamurit luftarako-detar në direkun e saj. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitet më të larta të shtetit shqiptar dhe të Kantierit “Damen Shipyards”.
Nga kjo datë, në këto 10 vite, anija ILIRIA, P-131 ka marrë pjesë në një sërë operacionesh dhe stërvitjesh të zhvilluara në vendin tonë dhe jashtë. Ndër operacionet e fundit të kryera nga anija “Iliria”, spikasin ato të funddhjetorit 2014, kur anbija “Iliria” u bë pjesë e operacionit për shuarjen e flakëve të tragetit “Norman Atlantik”, bashkë me anijet “Lissus” dhe “Butrinti”.
Gjithashtu anija ka qenë pjesë e operacionit “Sea Guardian” në Mesdhe gjatë vitit 2017.
Anija “Iliria” qëndron hijerëndë në vendqëndrimin e saj të përhershëm në molin “0” të portit të Durrësit, gati për operacionin e radhës.
Nderim dhe respekt për operacionet e kryera nga anija “Iliria” në këto 10 vite, respekte për kuadrot dhe detarët që kanë shërbyer në të.
Nga Shefqet Kërcelli





