As Qeveria, as kryeministri, as presidenti, e as kryetari i Parlamentit të Malit të Zi nuk kanë reaguar lidhur me votën e një deputeteje të këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Opozita malazeze e ka cilësuar këtë akt si antievropian.

Më 27 mars, Maja Vukiqeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Vukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Partia e saj e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, duke e quajtur atë “shtet të rremë” dhe “territor të pushtuar përkohësisht”.

Kjo parti është pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi që nga ndryshimi i qeverisë në vitin 2020, kur u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve, e cila njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

Që atëherë, në Mal të Zi janë formuar tri qeveri.

Në programet e secilës nuk është vënë në dyshim kursi i politikës së jashtme të vendit, i cili është anëtar i NATO-s që nga viti 2017, si dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shkelje e marrëveshjes së koalicionit?
Në pritje të formimit të qeverisë aktuale të Millojko Spajiqit, partitë e shumicës, përfshirë DNP-në, nënshkruan një marrëveshje koalicioni, ku zotohen “të respektojnë kursin euroatlantik të vendit dhe të zhvillojnë bashkëpunim miqësor me të gjitha vendet, të cilat Mali i Zi i ka njohur”.

Qasja e shprehur në Komitetin Politik të PACE-së shkel marrëveshjen e koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Nebojsha Vuçiniq.

“Kjo është arsyeja pse kryeministri dhe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të jenë të kujdesshëm. Ne i dimë pikëpamjet e opsionit ekstrem serb – që është kundër pavarësisë së Malit të Zi, kundër integrimit evropian dhe vlerave perëndimore”.

REL-i pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Qeverinë e Malit të Zi nëse vota e deputetit Vukiqeviq në PACE mund të dëmtojë marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën, dhe nëse ajo shkel qartë marrëveshjen e koalicionit, që detyron nënshkruesit të “bashkëpunojnë me të gjitha vendet e njohura nga Mali i Zi”.

Asnjë përgjigje nuk mbërriti. Nuk kanë reaguar as presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, as kryeministri Spajiq, e as shefi i diplomacisë, Fillip Ivanoviq.

“Ministër Ivanoviq, kryeministër Spajiq, president Millatoviq… na bëni me sy nëse ju kanë rrëmbyer!”, thanë socialdemokratët opozitarë, duke vlerësuar se partitë e ish-Frontit Demokratik po zbatojnë me sukses agjendën me të cilën Mali i Zi u rreshtua zyrtarisht kundër Perëndimit./REL