Pak ditë më parë u shpall kampion në Europian Master Games që po zhvillohet në Finlandë, por Kreshnik Leka nuk ndalet me kaq. Me 245 kg të ngritur në dy garësh, Leka nuk pati rivalë në peshën e tij, por sfidën e vërtetë e ka përpara.
Peshëngritësi i njohur durrsak, në moshën 46-vjeçare, synon objektiva të reja dhe pse jo sërish medalje ari.
“Kam kapur rezultatet që prisja. Bëra maksimumin tim. Në muajin gusht do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes Masters. Aty do të shikoni garë të vërtetë”,- thotë Leka për “DurrësLajm”.
Kampionati botëror i peshëngritjes për veteranët do të zhvillohet në Krakovë të Polonisë dhe meqë nuk ka kohë për të humbur, Leka ka nisur stërvitjen intensive për të qenë në formën maksimale.
“Kur je në moshë të pjekur, vitet ikin dhe rigjenerimi për seancën e ardhshme është më i vështirë.
Aktualisht po stërvitem 4 herë në javë, duke treguar kujdes që të mos kemi trauma, sepse një traumë sado e vogël të lë prapa”.
Leka, i cili është edhe drejtori i Klubit Shumësportësh Teuta, ka fituar 5 medalje ndërkombëtare në kompeticionet Masters të peshëngritjes.
Me një karrierë të gjatë në sportin e shtangës, Kreshnik Leka, është njëkohësisht president i Shoqatës “Mjeshtrat e Peshëngritjes Shqiptare” dhe gëzon një formë mjaft të mirë fizike.
M.B.