DURRËS, 17 janar 2015 – Klubi shumësportësh Teuta ka shkarkuar nga detyra e trajnerit të ekipit të basketbollit trajnerin Bekim Abrazhda. Sipas shefit të klubit shumësportësh Kreshnik Leka, vendimi është marrë në bashkëpunim me sponsorët dhe shoqatën Teuta Basket pasi kërkohet të rrite cilësia sportive e ekipit me synimin që Teuta sezonin e ardhshëm të luajë në kategorinë e parë. Trajneri Abrazhda u shpreh se nuk e ka kuptuar arsyen e shkarkimit e madje kapiteni i ekipit të Teutës në emër të ekipit u shpreh se basketbollistët durrsakë do të bojkotojnë kampionatin nëse Abrazhda nuk rikthehet. Në lidhje me këtë situatë shefi i klubit shumësportësh Teuta Kreshnik Leka deklaron se është shumë e qartë arsyeja e shkarkimit të Abrazhdës dhe ky vendim është komunikuar me shkresë zyrtare.

“Lojtarët e ekipit të Teutës përfaqësojnë ngjyrat e ekipit durrsak dhe unë pres që ata të vazhdojnë normalisht stërvitjen e cila për hir të së vërtetës nuk është ndërprerë dhe jam i bindur që stërvitja do të vazhdojë normalisht ndërkohë që për pak ditë do të vijë edhe trajneri i ri dhe më pas do të tentojmë edhe afrimet e dy lojtarëve cilësorë që do ti bashkangjiten grupit aktual që ne do të ruajmë dhe kemi besim tek aftësitë e këtyre lojtarëve të talentuar. Më vjen keq për sjelljen e Abrazhdës, pasi me të nuk është bërë asnjë shkelje, gjithcka është brenda rregullave. Abrazhda është shkarkuar nga detyra e trajnerit me një shkresë zyrtare sipas të gjitha rregullave dhe vendimi i shkarkimit është marrë në konsensus të plotë edhe me shoqatën Teuta Basket e cila është e përbërë nga biznesmenë dhe mjeshtra të basketbollit durrsak.

Abrazhda është shkarkuar pasi në këtë periudhë ne do të përforcojmë ekipin për të rritur cilësinë sportive dhe ky përforcim nis me trajnerin pasi do të sjellim një trajner të njohur që garanton një cilësi më të lartë sportive për ekipin dhe për objektivat e tij e po kështu do të ruajmë grupin aktual duke e përforcuar me dy apo tre lojtarë të tjerë pasi ambicjet tona janë që ekipin ta ngremë në kategorinë e parë. Kanë qenë pikërisht sponsorët të cilët bëjnë të mundur të gjitha këto përforcime, që nuk kanë pranuar që ekipi të stërvitet nga Abrazhda por nga një trajner tjetër me më shumë eksperiencë dhe që garanton realizmin e objektivave krahas përforcimit të ekipit. Objektivat që kemi vendosur si klub së bashku me sponsorët janë të qarta dhe sezonin e ardhshëm kërkojmë të luajmë në kategorinë e parë.”