Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim kryetarin e zgjedhur të Akademisë së Shkencave, Akademikun Gudar Beqirajn ku është diskutuar situata aktuale e këtij institucioni.

Mësohet se gjatë bisedës u nënvizua nevoja dhe rëndësia e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit tonë.

Gjatë takimit Akademiku Beqiraj i ka shprehur Metës vullnetin e tij për t’u dorëhequr nga pozicioni i Kryetarit duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribuues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.

Bëhet e ditur se Meta ka vlerësuar aktin e Akademikut Gudar Beqiraj duke vënë në dukje personalitetin e tij dhe rolin e kontributin e gjatë jo vetëm në fushën e kërkimit shkencor por edhe në atë të zhvillimit të sportit dhe të veprimtarive humanitare.

Më tej Presidenti Meta ka theksuar rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut mes Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë me qëllim rritjen e rolit të pazëvendësueshëm të saj për zhvillimin e vendit.