Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë të Trajtimit të Pronave, Erion Çaka, e cilësoi si domosdoshmëri krijimin e kushteve të përshtatshme për vënien në ekzekutim të vendimeve gjyqësore.
Në workshop-in koordinues mbi procesin vijues të kompensimit të pronave dhe forcimin e harmonizimit të praktikës vendase ndërmjet Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, ai theksoi rëndësinë e kontributit të dhënë nga sistemi gjyqësor ndër vite për konsolidimin e praktikave të mira që ndiqen aktualisht nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, sa i takon proceseve që lidhen me trajtimin e çështjeve të pronësisë së ish-pronarëve.
Me qëllim përfundimin e shpejtë të procesit të trajtimit të pronës, kuadri ligjor në fuqi ka parashikuar gjykatën si organin kompetent për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve midis ish-pronarit dhe shtetit.
“Për këto arsye, si dhe duke patur në vëmendje rëndësinë që ka ekzekutimi i titujve ekzekutiv, si një ndër hallkat më të rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, vlerësoj se krijimi i kushteve të përshtatshme për vënien në ekzekutim të vendimeve gjyqësore paraqitet si një domosdoshmëri për të gjitha palët pjesëmarrëse në këto procedura”, u shpreh kreu i ATP-së.
Ai vuri në dukje se jo pak herë ATP përballet me pamundësinë ligjore për të vënë në ekzekutim vendimet e gjykatave, të cilat në vlerësimin e ekspertëve të ATP-së, kanë ardhur si rrjedhojë e keqinterpretimit të ligjit të posaçëm mbi të cilin është ngritur dhe vepron kjo agjenci.
Risia e ligjit 133/2015, është mënyra e vlerësimit të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit si ato administrative dhe ato gjyqësore.
Sipas kësaj metodologjie, thekson Çaka, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, sipas vlerës së tokës në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.
Ligji, theksoi kreu i ATP-së, ka përcaktuar se ekzekutimi kryhet sipas modaliteteve dhe formave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, sipas rezervës ligjore që ligjvënësi i ka njohur këtij organi sa i takon shpërndarjes së fondit të kompensimit.
“Megjithëse ligji i posaçëm i njeh gykatës të drejtën e kontrollit të ligjshmërisë së mënyrës së nxjerrjes së vlerës financiare nga ana e ATP-së dhe në rast se konstaton se organi administrativ ka vlerësuar vendimin në kundërshtim me metodologjinë dhe mënyrën e vlerësimit të përcaktuar në ligj e shfuqizon këtë vlerësim, gjykatat nuk kanë mbajtur një qëndrim të unifikuar sa i takon rasteve të pranimit të padisë, duke sjellë kështu vështirësi për ATP-në në ekzekutimin e këtyre titujve, si rrjedhojë e marrjes përsipër të atributeve nga ana e gjykatave, për të përcaktuar formën dhe mënyrën e vënies në ekzekutim të vlerës financiare”, deklaroi Çaka.