Kreu i Dhomës së Avokatisë në Durrës, Lorval Petani, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të nënës së tij, Luljeta Petani.
“Ajo nuk ishte vetëm nëna ime, por ishte udhërrëfyesja ime, forca ime dhe shembulli më i bukur i një gruaje të drejtë dhe të fortë.”, shkruan në rrjetet sociale Lorval Petani.
Avokatja e njohur durrsake është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 74-vjeçare pas një arresti kardiak. Luljeta Petani për shumë vite me radhë njihet nga bashkëqytetarët e saj si një profesioniste e përkushtuar në fushën e drejtësisë. Me angazhimin e saj si prokurore, gjyqtare dhe më pas si avokate, Luljeta njihet në perceptimin publik si një grua me vlera të larta profesionale.
Homazhet për të do të mbahen ditën e enjte më datë 2 prill, duke nisur nga ora 10:00, pranë kishës ortodokse të Apostull Pavlit dhe Shën Astit. Ndërsa në orën 11:00, do të mbahet ceremonia mortore pranë varrezave të vjetra të qytetit.
Postimi i plotë:
Sot zemra ime është thyer në një mënyrë që fjalët mezi e përshkruajnë. Humbja e mamasë sime është dhimbja më e madhe që kam përjetuar. Ajo nuk ishte vetëm nëna ime, por ishte udhërrëfyesja ime, forca ime dhe shembulli më i bukur i një gruaje të drejtë dhe të fortë.
Ajo ishte një nënë e jashtëzakonshme, që na rriti me dashuri, përkushtim dhe dinjitet. Në profesion ishte një grua e admirueshme , fillimisht si prokurore, gjyqtare dhe më pas si avokate, duke mbrojtur gjithmonë të drejtën dhe të vërtetën me integritet të rrallë. Trashëgimia e saj jeton tek unë, jo vetëm në profesionin që kam ndjekur, por në çdo vlerë dhe parim që më ka mësuar.
Jam krenar që jam fëmija i saj. Do të më mungosh çdo ditë mam , zëri yt, këshillat e tua, forca jote, dhe dashuria e pakushtëzuar që më ka dhënë gjithë jetën.
Pusho në paqe, mama ime e dashur. Do të jetosh përgjithmonë në zemrën time.





