TIRANE – Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, Arben Doçi tregon kanalet kryesore përmes të cilave hyjnë apo gjenerohen të ardhurat e paligjshme në territorin shqiptar, ashtu si dhe metodat që përdoren për ligjërimin e tyre. Ndërsa thekson se prioritet i vëmendjes së institucionit janë personat e ekspozuar politikisht, Doçi bën me dije se pjesa më e madhe e parave të pista prodhohen nga krimi jashtë kufijve, ndërkohë që janë pasuritë e paluajtshme, hoteleria dhe restorantet, aktivitetet kryesore ku priren të injektohen këto para. 
 

Para pak ditësh, një raport i “Global Financial Intergrity” zbuloi se nga Shqipëria janë larguar në formën e transfertave të paligjshme një total fondesh, që shkojnë në 1.3 milionë dollarë. Çdo të thotë kjo shumë për institucionin tuaj? 

Bëhet fjalë për shuma parash, që nuk kanë të bëjnë me punën e institucionit tonë. “Global Financial Intergrity” i është referuar bilancit të pagesave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe raportit tregtar të import-eksporteve. Bëhet fjalë për një diferencë mes pagesave jashtë kufijve dhe bilancit tregtar. Shifra mesatare prej 130 milionë dollarësh për dhjetë vite është rezultat pikërisht i kësaj diference dhe nuk bazohet në asnjë të dhënë të GFI mbi transferta konkrete të jashtëligjshme. Po ta krahasojmë me të dhënat e shteteve të tjera të rajonit, rezulton se kjo diferencë për rastin e Shqipërisë është 5 deri 25 herë më e ulët. Një e dhënë e tillë, për mendimin tim tregon se qoftë Drejtoria e Doganave, qoftë Drejtoria e Tatimeve i kanë marrë masat për minimizimin e informalitetit tregtar. 
 

Atëherë kemi të bëjmë me keqinterpretim të të dhënave nga ana e GFI? 

Siç thashë, në raport pasqyrohet diferenca mes pagesave të kryera nga bankat dhe bilancit tregtar. Është një raport që mund të interpretohej më lehtë nga ekspertët doganorë apo ekspertët e fiskut dhe jo nga njësia jonë, e cila ka në qendër të vëmendjes flukset e parave të pista, që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Raporti i GIF krahason vetëm bilancet e pagesave bankare me bilancet tregtare, pa ofruar asnjë të dhënë tjetër mbi këto flukse. 
 

Meqë përmendët paratë e pista si objekt të punës së institucionit tuaj, na e përshkruani pak situatën e tyre. 

Për vitin 2011 kemi dërguar 160 raste për investigim të mëtejshëm në Policinë e Shtetit dhe 51 raste në prokurori. Për vitin 2012 janë dërguar për investigim të mëtejshëm në polici 171 raste, ndërsa 34 të tjerë janë dërguar në prokurori. Në shumicën e këtyre rasteve zbulojmë se burimet e të ardhurave nuk janë të ligjshme, por nuk kemi informacionin e nevojshëm për t’i lidhur me origjinën e tyre kriminale. Kështu që ia dërgojmë departamentit të Luftës Kundër Krimit Ekonomik Financiar, pastrimit të Parave, në mënyrë që ai të bëjë lidhjen me origjinën e tyre kriminale. 
 

Cilat janë tipologjitë kryesore të këtyre rasteve. Cilët janë profilet kryesore të subjekteve që kryejnë pastrim parash? 

Pjesa dërrmuese e rasteve për të cilët kemi zbuluar prejardhjen e parave dhe që janë dërguar në prokurori kanë si origjinë trafikun e drogës dhe prodhimin e lëndëve narkotike. Kemi mjaft raste parash të pista të përfituara nga trafiku i qenieve njerëzore. Ndërkohë që një pjesë të mirë të rasteve e zë korrupsioni. Vetëm në vitin 2011 kemi pasur, në mos gaboj, 18 raste të raportuara me para të përfituara që kanë si vepër origjine korrupsionin. Nga 51 raste të referuara në prokurori për vitin 2011, 25 prej tyre kanë pasur veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, pas tyre vijnë veprat penale të mashtrimit e falsifikimit, ndërsa 5 raste kanë orgjinë korrupsionin. Ndërsa për vitin 2012 kemi 6 raste politikanësh, pra persona të ekspozuar politikisht, të referuar në polici e prokurori për hetime të mëtejshme. 
 

Çfarë keni parasysh kur bëni përcaktimin persona të ekspozuar politikisht? 

Po ta përkufizoja në vija të trasha, do të thosha persona të zgjedhur apo emëruar, që kanë mundësi të abuzojnë me detyrën. Por këtu përfshijmë edhe gjyqtarët, edhe prokurorët. Këta persona kanë si vepër origjine korrupsionin. Por nga ana tjetër mund të përdoren nga organizata kriminale apo kriminelë për t’i ndihmuar me segmente të caktuara shtetërore, siç është gjyqësori. Para pak ditësh, kryeprokurori Adriatik Llalla vërente një problem të tillë. 

Nga:LORENC RABETA