Kreu i “Airbus Helicopters”, Claas Belling ka folur në një intervistë për “Panorama Online” në lidhje me rrëzimin e helikopterit EC 145 në Grizhë të Shkodrës më 6 prill të këtij viti. Rrëzimi i helikopterit të FAve solli vdekjen e dy pilotëve dhe plagosjen e një ushtaraku, ndërkohë që ende nuk dihen shkaqet e vërteta që çuan në rrëzimin e helikopterit.
Këto ditë, është raportuar se kompania frankogjermane u ka dërguar letër të gjithë “klientëve ushtarakë” që të mos i përdorin për fluturime EC 145 deri sa të sqarohen rrethanat e aksidentit të helikopterit shqiptar. Mirëpo kreu i “Airbus Helicopters”, Cllas Belling e mohon ekzistencën e një letre të tillë. Ai madje thotë se kompania që ai drejton nuk i ka dërguar letër as Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare për helikopterin tjetër EC 145 që ka në përdorim, pasi nuk janë vërejtur defekte.
Ai nuk preferoi të bënte komente për përparimin e hetimeve lidhur me shkaqet e aksidentit, por tregoi se ekspertët e kompanisë së tij, kanë ndihmuar autoritetet shqiptare të gjejnë kutinë e zezë, e cila ka të gjithë materialin audiovizual, që tregon se çfarë ka ndodhur brenda kabinës së pilotit në momentin e rrëzimit. Kjo pritet që të japë një panoramë të qartë të aksidentit.





