Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Durrës, Shyqyri Myrtollari, në një deklaratë për mediat pasditen e sotme ka denoncuar pjesëmarrjen e nxënësve të disa shkollave të Durrësit në takimet elektorale të kandidates së Partsisë Socialiste, Emiriana Sako.
Myrtollari shprehet se në shkelje të ligjit dhe “Me urdhër të drejtueses së Zyrës Vendore Arsimore Durrës, Amarilda Thërrmija, drejtues e mësues të gjimnazeve të lartëpërmendura kanë cënuar proçesin mësimor, duke hequr nxënësit nga mësimi, për t’u bërë pjesë e takimeve elektorale”.
Sakaq, kreu i FRPD Durrës ka publikuar edhe fotot ku duken nxënës, drejtues e punonjës të arsimit publik parauniversitar në takimet elektorale të Sakos.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë të Durrësit,
Jemi këtu për të denoncuar atë që po ndodh në Durrës, në shkelje të plotë të ligjit, në mënyrë të përsëritur, duke e bërë këtë fushatë zgjedhore të pabarabartë dhe të pandershme.
Dita-ditës, kjo fushatë po fakton që regjimi i Ramës do të përdorë çdo mjet për të mos e humbur pushtetin.
Kemi marrë denoncime të ndryshme, në lidhje me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme “Gjergj Kastrioti”, “Naim Frashëri”, dhe “Olsi Lasko”, në takimet elektorale të kandidates, Emiriana Sako.
Me urdhër të drejtueses së Zyrës Vendore Arsimore Durrës, Amarilda Thërrmija, drejtues e mësues të gjimnazeve të lartëpërmendura kanë cënuar proçesin mësimor, duke hequr nxënësit nga mësimi, për t’u bërë pjesë e takimeve elektorale në mbështetje të kandidates së Partisë Socialiste për kryetare të Bashkisë së Durrës, Emiriana Sako, e në sfidim të hapur të kodit penal janë publikuar nga vetë kandidatja në rrjetet sociale.
Pa anashkaluar faktin që ky është një urdhër i përsëritur i drejtueses së arsimit të Durrësit, e cila vetëm pak kohë më parë, u denoncua në një emision investigativ televiziv, për shpërdorim të detyrës dhe shkelje të ligjit të arsimit parauniversitar.
Në bazë të nenit 328a paragrafi dytë i kodit penal:
Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit.”
Në këto kushte, ju bëjmë me dije se kemi informacion dhe pamje filmike, që tregojnë drejtues dhe punonjës të arsimit publik parauniversitar, të cilët kanë organizuar këto takime elektorale. Këto materiale që shërbejnë për të dëshmuar se kemi të bëjmë me një krim zgjedhor do të depozitohen pranë autoriteteve përkatëse.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje mësuesve të arsimit publik parauniversitar në Durrës të distancohen menjëherë nga organizimi i takimeve elektorale,në mbështetje të Emiriana Sakos, në kundërshtim me ligjin.
Këto shkelje të kryera me vetëdije janë tregues i frikës që i ka pushtuar, Durrësi ka zgjedhur për kryetar të bashkisë z. Igli Cara
Çdo qytetar duhet të shkojë i qetë përpara kutive të votimit. Ne do të denoncojmë çdo përpjekje që do të ndikojë në tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve dhe shkelësit e ligjit do të mbajnë përgjegjësi penale.