Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi duket se i ka idetë e qarta përsa i përket rinisjes së aksionit opozitar. Në një intervistë për DurrësLajm, Këlliçi deklaron se nëse protestat e opozitës së bashkuar do të rinisin, ato duhet të rinisin pikërisht nga të rinjtë.
Duke iu referuar protestave studentore të dhjetorit 2018, që ishin një shkundje për të gjithë klasën politike në Shqipëri, Këlliçi thotë se "duhet të jemi ne të parët, që duhet ta nisim aksionin opozitar me protesta, duke ngritur zërin kudo. Unë jam njeri i aksionit dhe terrenit dhe jam i po të njëjtës bindje, që gjërat nuk ndryshojnë as me Facebook, as me deklarata dhe as me thirrje për qeverinë dhe Edi Ramën, për t’i thirrur arsyes dhe për të treguar një përgjegjshmëri politike dhe morale. Kjo qeveri dhe ky kryeministër janë tërësisht amoral dhe apolitik".
Duke qenë se universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës numëron rreth 17 mijë studentë, Këlliçi thotë se një strukturë e veçantë e FRPD Durrës funksionon pranë degëve të fakulteteve përkatëse dhe prurjet më të mëdha të forumit muajt e fundit kanë qenë pikërisht nga studentët. Afrimi i të rinjve pranë Forumit Rnor është një nga prioritetet e kësaj strukture, në një kohë kur fenomeni negativ, braktisja e Shqipërisë nga të rinjtë dhe profesionistët, është një nga dukuritë më negative të viteve të fundit.
Në të njëjtën kohë, FRPD është duke hartuar strategji të veçanta për secilën degë të forumit nëpër rrethe, në mënyrë që problematikat e të rinjve në qytete të ndryshme të materializohen në programin që strukturat drejtuese po hartojnë.
Këlliçi ishte i pranishëm pasditen e së mërkurës, në një trajnim me të rinjtë e forumit të Durrësit, i cili u fokusua në temën "Aktivizimi Politik në Epokën e Mediave Sociale".
M.B.





