Tiranë, 12 mars 2014 – Kryeinspektori i Deklarimit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, shprehet se në dosjet e zyrtarëve të lartë mungojnë dokumentet që vërtetojnë pasuritë e tyre, si vërtetim bankash apo hipotekat e pronave.
Në të parën intervistë pas marrjes së pozicionit të ri, ai thotë se pas kontrollit të plotë për krerët më të lartë të shtetit, vitin e ardhshëm do të kontrollojë deklaratat e deputetëve. Ganaj flet gjithashtu për korrupsion brenda stafit të ILDKP-së, me qëllim mbylljen si “të rregullta” të dosjeve të deklarimit të pasurive.
Ju keni marrë nismën për të kontrolluar pasuritë nga viti 2003, kur edhe janë deklaruar për herë të parë. Cili është qëllimi i kësaj nisme?
Do të kontrollohen dhe rikontrollohen një pjesë e deklaratave, duke nisur nga Presidenti, Kryeministri, kryetari i Kuvendit, gjyqtarët, prokurorët dhe disa kategori të tjera. Kjo nismë ka ardhur për shkak të situatës tepër të rëndë që kemi gjetur në zyrën e administrimit të dosjeve të kontrollit, me dyshime të bazuara për zhdukje dosjesh, zhdukje dokumentesh nga dosjet e kontrollit të plotë. Është zhdukur regjistri disavjeçar i kallëzimeve të bëra nga qytetarët. Është zhdukur dokumentacioni që shoqëron numrin telefonik pa pagesë. Është zhdukur dokumentacioni ku denoncohet nëpërmjet adresës së internetit. Që nga viti 2006 duhet të ishte krijuar regjistri i kontrollit të konfliktit të interesave për të parë nëse një zyrtar i lartë ka përfituar apo jo nga fondet shtetërore. Ky kontroll nuk është bërë asnjëherë.
Ka informacion sa dosje janë zhdukur?
Jemi duke bërë inventarizimin e plotë të situatës. Është e vështirë sepse është inventarizim që nga viti 2003. Bëhet fjalë për 6 mijë dosje të kontrollit të plotë dhe 60 mijë dosje të kontrolleve të tjera. Kjo procedurë do kohën e vet. Në përfundim do të bëjmë të gjitha rezultatet. Rikontrolli i plotë është e drejtë që buron nga neni 25, pika 4 e ligjit 9049 dhe sa herë që inspektori i Përgjithshëm e shikon të arsyeshme mbi bazën e informacioneve dhe burimeve të ligjshme, urdhëron rikontrollin e plotë.
Ju keni hapësirë ligjore për të rikontrolluar dosje që janë kontrolluar më parë?
Po, e kam këtë hapësirë.
Çfarë hapësire ligjore keni ju që në rast se konstatoni se një zyrtari të lartë i mungon deklarata që ka bërë, t’i kërkoni atij të bëjë sërish deklarimin për atë vit?
Rasti i mungesës apo zhdukjes së dosjeve apo akteve nëpër dosje nuk na sjell asnjë pengesë. Deklaratat janë të skanuara dhe asgjë nuk mungon këtu. Nuk ka asnjë problem. Deklaratat janë fizikisht. Shqetësimi që kam unë lidhur me faktin që përmendët është që këto tregojnë për mungesë vullneti dhe korrupsion edhe në radhët tona, për të gjithë ata që kanë punuar para meje këtu. Kjo nuk na sjell asnjë pengesë. Deklaratat janë të gjitha. Përgjigjet janë nëpër banka dhe i rimarrim menjëherë. Problemi është për të parë sa vullnet ka pasur për ta kontrolluar zyrtarin, a i është shkuar deri në fund hetimit për atë zyrtar. Nuk ka shqetësim në kuptimin administrativ.
/gazeta “Panorama”/





