TIRANE – Zëvendësministrja e Mbrojtjes Zana Xhuka e dekretuar nga presidenti, si propozim për kreun e ILDKP, nuk përmbush kriteret për të qenë në krye të këtij institucioni. Kandidatura e saj, për kreun e ILDKP bie në kundërshtim me ligjin Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”. 

Në nenin 12 të ligjit të sipërcituar, në pikën “Kushtet për t’u zgjedhur” thuhet se Inspektor i Përgjithshëm mund të zgjidhet kandidati që plotëson kushtet e mëposhtme: a) të jetë shtetas shqiptar; b) të ketë arsimin e lartë, si ekonomist financier ose jurist; c) të ketë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 10 vjet dhe moshë mbi 35 vjeç; ç) të mos jetë i dënuar për vepra penale; d) të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore. Gazeta kërkoi në CV (biografinë) e ministres dhe vërejti se dy nga piketat kryesore të ligjit Nr.9049, neni 12 nuk përmbushen nga kandidatura e Zana Xhukës. Në pikën b të nenit 12 thuhet që kandidati duhet të ketë arsimin e lartë, si ekonomist financier ose jurist. 

Ndërkaq zv/ministrja Xhuka ka mbaruar Administrim Biznes në Fakulteti Ekonomik, pranë Universitetit të Shkodrës, një shkollë të cilën ka mundur ta kryejë për 10 vjet përkatësisht në vitet 1993-2003. Përveç kësaj ajo ka marrë diplomë në Administrim Biznesi e jo në Financë siç e kërkon ligji. Ndërkaq po në nenin për kriteret që duhet të ketë kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive, në pikën c, thuhet që kandidati të ketë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 10 vjet. Duke parë biografinë e zëvendësministres, vërehet se ajo nuk e ka këtë eksperiencë. Që prej 2005 ajo është zëvendësministre e Mbrojtjes e më parë puna ka qenë e fokusuar te mësimdhënia si pedagoge e jashtme dhe mësuese matematike. Kuvendi i Shqipërisë nis sot punimet ndërsa nuk dihet se kur do të diskutohen dy kandidaturat për ILDKP, post i mbetur vakant pas zgjedhjes së Adriatik Llallës si kryeprokuror i përgjithshëm. 

Dy kandidaturat e Zana Xhuka dhe Shkëlqim Ganaj u miratuan me 18 janar 2013, pra të premten e shkuar nga komisioni parlamentar i Ligjeve vetëm me votat e maxhorancës. Para komisionit, kandidatja Xhuka theksoi se nuk është anëtare e asnjë force politike dhe se qëndrimin në detyrën aktuale, atë të zv/ministres së Mbrojtjes, ia dedikon CV-së së saj profesionale. 

Edhe kandidati tjetër për kreun e ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj tha se nuk ka qenë pjesë e asnjë partie politike dhe se ka punuar në sistemin e drejtësisë prej shumë vitesh.