Teksa në Tiranë po mbahet Konferenca e 51-të Rajonale e Interpol për Europën, kreu i Interpol Ahmed Naser Al-Raisi vlerësoi rolin e Shqipërisë si pjesë e kësaj organizate.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se pjesëmarrja e Shqipërisë reflekton vlerat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rrit sigurinë kibernetike.
“Do doja të theksoja rolin e Shqipërisë si pjesë e Interpol. Që nga koha kur është anëtarësuar, më 4 Nëntor 1991, Shqipëria ka qenë një pjesëmarrëse aktive në të gjithë përpjekjet tona, bashkëpunuese, kolektive.
Angazhimi i tyre në operacion është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo iniciativë ka për synim ndalimin e krimit kibernetik, transnacional, ka patur të gjitha këto arritje shumë të rëndësishme, përfshirë uljen deri në 70 përqind e serverëve të kontrollit dhe komandës dhe identifikimin e 1300 adresave IP të dyshimta.
Pjesëmarrja e Shqipërisë reflekton vlerat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rrit sigurinë kibernetike”, tha presidenti i organizatës ndërkombëtare të policisë kriminale.