Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka publikuar një video mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë, me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në fjalën e tij, Spahiu shprehu urimet e tij duke lutur Zotin që Ramazani të sjellë paqe, begati dhe mirësi për çdo familje shqiptare dhe për mbarë shoqërinë.

“Nesër ne nisim agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta, duke lutur Zotin e Madhëruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe mirësi për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë.

Ramazani është një nga dhuntitë më të mëdha shpirtërore që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë njerëzimit. Ai është muaj i agjërimit, i Kuranit, i mëshirës dhe i faljes. Në Librin e Tij të Shenjtë, Allahu thotë: ‘Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kurani, si udhëzim për njerëzit dhe si sqarim i qartë i udhëzimit dhe dallimit.’ Ky ajet na kujton se Ramazani është kohë reflektimi dhe orientimi, kohë për t’u kthyer te vlerat themelore të besimit, drejtësisë dhe përgjegjësisë morale.”, u shpreh ai.