28tetor 2015 – Kreu i Kuvendit të Kosovës ngatërron kryetaren e Gjykatës Kushtetuese me këngëtaren Arta Bajrami. Duket se kryeparlamentari Kadri Veseli është fans i Artës, pasi në vend të lexonte një dokument për Arta Ramën, kryeparlamentari Kadri Veseli ka lexuar emrin e këngëtares. Ai e ka kuptuar pas pak sekondash, duke e kaluar me humor, ashtu siç ka bërë dhe vetë këngëtarja Bajrami pasi e ka dëgjuar videon. Këngëtarja nuk ka ndalur duke vazhduar shakanë e saj teksa ka shkruar edhe një vendim në Facebook.
“Gjykata Kushtetuese me në krye mua, Arta Bajrami, merr vendimin që:
1. Seanca e ardhshme parlamentare të mbahet pa pranin e vezëve, gazit lotsjellës, filikaqave etj. Kuvend është ai dhe jo kopsht parashkollor.
2. Të gjith parlamentarët e përshirë në incidente, qoftë gjuajtje me vezë apo përdorim i fjalorit ku duhet vënë “piiiiiip” detyrohen të vijojnë kursin “Si të sillemi si njerëz të rritur?”, para se tu lejohet kthimi në vende të punës.
3. Parlamentarët që mendojnë se kuvendi është një “odë që ua ka lënë baba” dhe ata vendosin çfar të duan, por edhe ata që përdorin forcën dhe jo argumentin për të bindur elektoratin apo marrë pushtetin, detyrohen të ndrrojnë profesion. Në blegtori ka mjaft vende të lira të punës. Pozita më e lakmueshme: bari/bareshë.
Refuzimi i zbatimit ose shkelja e këtyre rregullave dënohet sipas ligjeve te kushtetutës së Kosovës.
Arta, kryetare e këtij institucioni”, ka shkruar në facebook Arta Bajrami.
/portali DurresLajm/